Një person ka vdekur pas një vetaksidenti në trafik që ndodhi në mes të Shirokë dhe Sopi në Suharekë.
Ai fillimisht ishte dërguar në emergjencën e Suharekës, por për shkak të lëndimeve të rënda që ka marrë në aksident, ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku ka ndërruar jetë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Me datë 24.04.2025, rreth orës 21:26 përmes linjës emergjente policia ka marrë njoftim se në mes të fshatit Shirokë dhe Sopi në Suharekë ka ndodhur një vetaksident. Policia ka informuar emergjencën dhe patrulla menjëherë ka dalë në vendngjarje. I lënduari E.K. nga Sopia fillimisht është dërguar në emergjencën e Suharekës, por për shkak të lëndimeve të rënda është transferuar për në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Rreth orës 23:00 nga spitali është informuar se i lënduari ka vdekur. Hetuesit e trafikut kanë dalë në vendngjarje. Gjithashtu është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në Institutin Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim”, tha ai.