string(87) "vijon-kaosi-me-rrogat-e-punonjesve-pse-nuk-respektohet-marreveshja-kolektive-ne-kulture"

VIJON KAOSI ME RROGAT E PUNONJËSVE: Pse nuk respektohet Marrëveshja kolektive në Kulturë?

Maqedoni

Gazeta Express

25/04/2025 19:13

Likuidimi i pagave të prapambetura për punonjësit e institucioneve të kulturës ka nisur, por jo sipas Marrëveshjes kolektive, por një formule të re. Sindikata e punonjësve të kulturës, ka reaguar të premten duke theksuar se vendimet e marra për pagesën e rrogave janë bërë në formë joligjore, nën presion për të mbyllur procesin. Sipas tyre, në disa institucione, punonjësit janë mbajtur mbrëmë deri natën vonë për të hartuar vendimet e reja për pagat.

“Pra nën presion dhe me një procedurë të paligjshme, mbërriti paga e famshme e marsit në kulturë. Mbetet e paqartë se si punonjësit i kanë marrë pagat e tyre, pa u marrë paraprakisht vendime të reja dhe pa u bërë plotësisht efektive”, kanë reaguar sot nga Sindikata. Problemi me pagesën e pagave të marsit në institucionet kulturore shtetërore dhe lokale u diskutua në seancën e djeshme në Parlament. Sipas Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, Marrëveshja Kolektive për Kulturën, e cila supozohej të rriste pagat e punonjësve të kulturës me 8.5 për qind me rritjen e pagës minimale në mars, është e dëmshme dhe është nënshkruar nga një ish-ministër pa e ditur se çfarë po nënshkruante.

Lexo Edhe:

“Me atë Marrëveshje Kolektive, buxheti në kulturë nga 60 për qind për paga dhe 40 për qind për aktivitete programore u ul në 90 për qind për paga dhe 10 për qind për aktivitete programore. Pagat që tani po paguhen sipas llogaritjes së re nuk do të kontribuojnë në shkurtime në aktivitetet programore, si më parë”, tha ndër të tjera Ljutkov, pas replikës me ish ministren dhe deputeten e LSDM, Bisera Kostadinovska Stojçevska.

“Pagesa e pagave në kulturë ka filluar, por JO në përputhje me Marrëveshjet Kolektive, por sipas direktivave të Ministrisë së Kulturës, dhe me rekomandimin e Ministrisë së Financave me ndonjë formulë të re joligjore. Por ne theksojmë se një pagë e tillë e marrë pas një interpretimi arbitrar të marrëveshjeve kolektive është e gabuar. Përgatitja e vendimeve për pagat dhe vetë llogaritja u bë nën presion, fillimisht mbi drejtorët dhe më vonë mbi punonjësit e institucioneve përgjegjëse për përgatitjen e pagave”, kanë deklaruar sot nga Sindikata.

Problemi me pagat ka përfshirë përveç punonjësve në MKT punonjësit e rreth 100 institucione nën varësinë e MTK dhe 49 nën vetëqeverisjen lokale. Disa ditë më parë ata protestuan përpara ministrisë duke kërkuar respektimin e Marrëveshjes kolektive. (koha.mk)