Interpol Tirana ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve, të cilët ishin shpallur në kërkim. Mësohet se nga Gjermania është ekstraduar 18-vjeçari, Flavio Merkuri, i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim.
I riu në bashkëpunim me vëllain e tij dhe 2 shtetas të tjerë (të gjithë të mitur), kanë tentuar t’i vjedhin një shumë prash një shtetasi të mitur, në rrugë, duke e kanosur me thikë.
“U kryen procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, informon policia.
Ndërkohë, nga Italia është ekstraduar 50-vjeçari, Ilia Ndoka, pasi GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg”.
“U ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar I. N., 50 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale’”, sqaron policia