Çdokush që bashkëpunon me BDI dhe Ali Ahmetin, të cilin e kemi akuzuar dhe vazhdojmë të akuzojmë për korrupsion, krim dhe keqpërdorim 20 vjeçar të pozitave publike nuk është e mundur të jetë pjesë e qeverisë. Kështu është shprehur sot, i pari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në pyetjen gazetareske se si do veprojnë pas ndarjes së Arben Taravarit dhe fraksionit të tij, nga koalicioni VLEN, shkruan Portalb.mk.
Sipas tij, është e panatyrshme që një subjekt politik në qeveri që bashkëpunon me opozitën të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë.
“Ne si VLEN sollëm vendimin, me të cilin është i njohur opinioni. Me partnerët e qeverisë do të sjellim edhe vendimin për fatin e koalicionit qeveritar”, tha Kasami.
Për komunikimet e Arben Taravarit dhe kreut të BDI-së, Kasami tha se kanë pasur dyshime dhe informata shumë më herët, para fillimit të vitit 2025.
“Por, informatën më konkrete e kemi marrë nga mediat. Në një takim që kemi pasur të përbashkët në Prishtinë, ai vet e pranoi”, deklaroi Kasami.
Brenda javës, pritet që koalicioni VLEN të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski ku në rend dite do të kenë pikërisht çështjen që e paralajmëroi Kasami: prezencën e Arben Taravarit, ministrit aktual të Shëndetësisë, në qeveri.
Kujtojmë se, koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë aktuale nuk po i jeton ditët më të mira të qeverisjes. Arben Taravari dhe fraksioni i tij kanë vendosur që në zgjedhjet lokale, që janë të planifikuara për në muajin tetor, të shkoj ndaras nga koalicioni VLEN, me çka e vuri në pikëpyetje edhe prezencën e tij në qeveri.
VLEN u shprehën se Arben Taravari është vetëpërjashtuar nga koalicioni, dhe se koalicioni ditëve në vijim do të konsolidohet edhe më fortë dhe do të shndërrohet në një parti politike.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...