Tregu i Gjelbër dikur një organizatë e madhe fitimprurëse sot është në gjendje të mjerueshme. Që nga viti 2014 ka kaluar si pronë e AKP-së, e cila nuk është kujdesur asnjëherë për gjendjen e këtij tregu por as të asnjërit prej tri tregjeve që ka qyteti i Prishtinës. Faktikisht mirëmbajtjen e bën Komuna e Prishtinës, por edhe pse ka shfaqur shumë projekte e lokacione asnjëherë deri më tash as AKP dhe as Komuna nuk kanë ndërmarrë diçka. Kurse tregtarët janë të zhgënjyer.
Në Tregun e Gjelbër asnjëherë nuk ka ndryshuar gjendja e mjerë. I mbuluar nga mbeturinat, e kulmi i kamufluar nga tregtarët për t`i mbrojtur produktet e tyre, teksa konsumatorë janë të zhgënjyer ankohen për këtë situatë.
Nga AKP-ja kanë thënë se ky treg është në proces likuidimi, e që sipas përgjigjes, ky treg menaxhohet nga Ndërmarrja Shoqërore “Tregu”, ndërsa për mirëmbajtjen e tij kujdeset Ndërmarrja Publike Banesore.
Nga Komuna treguan për shpalljen e tenderit në muajin prill dhe pranuan se janë vonuar sa i përket Tregut të Gjelbër.
“Shpresojmë shumë se të gjitha përgatitjet janë gati që gjatë muajit prill shpallet tenderi dhe nëse gjithçka ec sipas afateve dhe ligjit e prokurimit atëherë shpejt do ta shpallim fituesin dhe brenda kësaj kohe të mandatit t’i përfundojmë ndërhyrjet edhe në atë pjesë, kështu që është një lajm i mirë për tregtarët e Prishtinës sepse gjendja e tyre nuk është e mirë dhe këtë duhet pranuar, jemi vonuar dhe kemi një pjesë të përgjegjësisë edhe ne”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës
Tregtarë e qytetarë thonë se janë të zhgënjyer me situatën aktuale të këtij tregu. “Ne ja paguajmë krejt AKP-së. Ajo i merr krejt pagesat prej këtij tregu, e me investu nuk investon asnjë send. Dmth merr prej tregtarëve e nuk investon asgjë. Një muaj e gjysmë nëse vonohemi me pagesa na kërcënojnë me përmbarues”, tha Shaban Bislimi, tregtar.
Sipas tij pagesat bëhen për çdo muaj dhe asnjë tregtar nuk ka borxhe.
“40 euro deri 45 euro është çmimi që e paguajmë për një muaj për një stendë 2mX1m”, shtoi ai.
E tregtari tjetër Kadri Sfarqa tha se renovimin e kanë bërë me mundësitë e veta, porse sipas tij autoritetet lokale duhet të bëjnë investime për ta përmirësuar gjendjen.
Pas tenderit, tregu do të rilokohet në një hapësirë tjetër deri në përfundimin e rindërtimit të tij. /RTK