Me 87 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “i përmbajtur” në Kuvend u mbështet propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, me procedurë të shkurtuar, i propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Pas miratimit të konkluzionit për ta mbështetur atë, në kuadër të seancës së 42-të, propozimi do të kalojë për shqyrtim në Komisionin kuvendor për mbrojtje dhe siguri dhe në Komisionin juridiko-ligjvënës.
Propozimi me të cilin ndërhyhet në Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike është rezultat i tragjedisë me zjarrin në diskotekën e Koçanit më 16 mars, ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u lënduan.
Arsyet për ndryshimet urgjente i sqaroi deputeti Toni Jarevski, i cili u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të përfshihen në miratimin e ndryshimeve të ligjit.
“Kemi evidentuar shumë mangësi të cilat duhet të tejkalohen që të mos ketë improvizime që do të rezultojnë me avari dhe fatkeqësi të tilla”, tha Jarevski.
Me ndryshimet është parashikuar edhe policia të marrë kompetenca të shtuara gjatë veprimit dhe gjatë parandalimit të kundërvajtjeve të rendit dhe qetësisë publike.
Në proces është përgatitja e një Ligji të ri për lëndët shpërthyese për përdorim civilë nga ministria kompetente dhe me këtë propozim bëhet ndryshim ndërhyrës i Ligjit për kundërvatje kundër rendit dhe qetësisë publike deri në miratimin e zgjidhjeve të reja ligjore që do të rregullojnë në detaje të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me lëndët shpërthyese për përdorim civil, ku përfshihen edhe mjetet piroteknike.
Para seancës së 42-të, Kuvendi e përfundoi seancën e 38-të, e cila filloi me nderimin e viktimave të tragjedisë së Koçanit me një minutë heshtje nga deputetët e pranishëm.