Kosova u godit tri ditë radhazi nga tri raste të rënda që përfunduan me katër viktima. Dy vrasje u kryen në Vushtrri e një në Prishtinë. Express sjellë detaje për secilin rast.
Gazeta Express
Ditëve të fundit vendi u trondit nga tri vrasje e nj vetëvrasje. Në Vushtrri, mbrëmjen e së dielës një 19 vjeçar dyshohet se e vrau një bashkëmoshatar të tij.
Vushtrria s’gjeti qetësi as të hënën kur pronari i një furre dyshohet se e vrau punëtoren tij e më pas ia mori jetën edhe vetes.
Ndërkaq parmbrëmë një krim tjetër tronditi Prishtinën, ku një person dyshohet se e vrau një 61 vjeçar dhe e plagosi një tjetër.
19 vjeçari vritet në Vushtrri, arrestohet bashkëmoshatari i tij
Ardit Zymberi u vra me armë zjarri të dielën në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, rreth orës 20:35.
Si i dyshuar për vrasjen e Arditit është arrestuar Bleon Dibrani, i cili e ka pranuar fajësinë.
Kështu ka thënë për Express zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, ka thënë Preteni.
Arditit iu dha lamtumira e fundit të hënën, ndërsa i dyshuari ndodhet në paraburgim.
Pronari i furrës në Vushtrri vret punëtoren e më pas edhe veten
Një rast tjetër i rëndë ndodhi të hënën. Në Stanoc të Vushtrrisë pronari i një furre e vrau punëtoren e më pas veten.
Viktima është Nexhmie Musliu Haradini, 42 vjeçe. Pas vetës ajo la tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.
Ndërsa i dyshuari është Arsim Morina, 58 vjeç.
Rrahim Ajeti i tha televizionit T7 se kanë marrë informacione jozyrtare se bëhet fjalë “për një lloj hakmarrjeje”, pasi viktima e kishte lënë punën në furrën pronar i së cilës ishte dorasi.
“Viktimat nuk janë mes vete asgjë. Unë jam familjar, njëkohësisht edhe kryetar i këshillit të fshatit dhe viktimën e kam grua të dajës. Kjo ka ndodh, sipas një informate jozyrtare, gjoja pse e ka lëshu vendin e punës që ka qenë duke punu te dorasi dhe ka kaluar te ky tjetri. Është hakmarrë në këtë mënyrë dhe pastaj e ka vrarë edhe veten”, tha ai.
Ai ka thënë se me të ka qenë vajza 12 vjeçe me të dhe se ajo e ka parë gjithë skenën.
42 vjeçarja u varros pardje.
Alban Gashi dyshohet se vrau një person dhe plagosi një tjetër në Prishtinë
Pas disa të shtënave me armë zjarri parmbrëmë në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, dy persona kanë mbetur të plagosur. Plagëve të marra nga arma e zjarrit dhe thika nuk arriti t’i mbijetojë Naser Gashi, 62 vjeç, ndërsa Miftar Miftari ndodhet në QKUK.
Kurse nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Gazetën Express, kanë thënë se janë duke u ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore për vrasjen e djeshme në Prishtinë.
“Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e Policisë janë duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore mbi këtë çështje”, është thënë nga ta.
I dyshuari për rastin, Alban Gashi, ende nuk është arrestuar.
Rreth këtij rasti, për Express, shkurtimisht është deklaruar koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli, me të cilin ky i fundit ka pasur edhe lidhje familjare.
Veseli në deklarimin e tij ka thënë se rasti ka ndodhur aksidentalisht.
Ai ka thënë se viktima s’ka pasur ‘‘kurrfarë lidhje’’ me rastin.
‘‘Aksidentalisht ka ndodh. Hiç kurrfarë lidhje s’ka’’, ka thënë ai.
Sipas Sinjalit, i dyshuari Alban Gashi dhe Miftar Miftari kanë pasur disa probleme mes vete në Spanjë dhe vetëm para pak ditësh kanë ardhur në Kosovë.
Për vrasjet reagoi Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili dje gjatë mbledhjes së Qeverisë Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë kërkoi nga organet angazhim maksimal që të “trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla”.
Kurti tha se duhet të ketë “analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror”.
Ndërkohë që pati edhe reagime nga partitë politike të cilat kërkuan ndryshimin e legjislacionit dhe ashpërsimin e dënimeve për armëbajtje pa leje. /GazetaExpres