Kryeministri Edi Rama ka vijuar ironitë ndaj Ilir Vrenozit, duke e quajtur sërish “liderin e vërtetë të PD-së”, pas një fjalimi të Vrenozit në mitingun elektoral të kësaj force politike në Korçë. Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e tij, Rama tha se sipas tij është për të ardhur keq që një qytet si Korça, simbol i kulturës shqiptare, përjetoi një manifestim të tillë gjuhësor.
“Shkojnë në Korçën e ballove dhe aty e merr fjalën lideri i vërtetë i tyre, Ilir Vrenozi. Ju mendoni që unë bëj shaka? Jo, nuk bëj. Ai është lideri i tyre. Dhe njerëzit ekzaltuan me gjuhën më të ulët që është ulëritur në një mexhlis politik,” tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek akuzat për mënyrën si shprehet vetë ai.
“Gjuha ime është shpatë, jo pelte. E kam mësuar nga Noli e Konica. Në mbi 20 vite në politikë nuk i kam thënë askujt ‘hajdut’, ‘kriminel’, ‘mafioz’, apo ‘vrasës’. Këto janë akuza penale. Unë luftoj me fjalën, me debat, me metaforë, jo me baltë,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se është i gatshëm të vërë bast që asnjë fjalim i tij nuk do të konsiderohej i papranueshëm në parlamentet më të mëdha evropiane.
Në fund, Rama nuk i kurseu ironitë edhe ndaj komentuesve kritikë: “Si Bedriu, flet bufi i kënetës ku Bedriu noton. Madje një shkallë më lart është Ilir Vrenozi, lideri i vërtetë i asaj partie.”
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...