Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se i është arsyetuar presidentit rus Vladimir Putin lidhur me eksportin e armëve nga Serbia, duke theksuar se vendi i tij nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pavarësisht presioneve të vazhdueshme.
Në një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, Vuçiq tha se për këtë çështje ka biseduar personalisht me presidentin rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Pekin, duke u përpjekur ta arsyetojë situatën.
“Para së gjithash, ne nuk kemi eksportuar asnjë plumb drejtpërdrejt. Por kemi pasur rezerva të mëdha armësh dhe municioni që duhej t’i shisnim në vende të ndryshme të botës. Kur ka luftë diku, ajo armë në fund përfundon në fushëbetejë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se gjatë takimit i kishte treguar Putinit listën e vendeve ku Serbia eksporton armë, duke u përpjekur të shpjegojë situatën.
“I thashë: ‘Këtu është lista e shteteve ku eksportojmë, ku është problemi?’ Ai tregoi Poloninë, por atje kishin shkuar vetëm plumba për pushkë gjuetie. Ka pasur eksport edhe në Çeki, Britaninë e Madhe dhe disa vende të tjera”, tha Vuçiq, duke pranuar se një pjesë e këtyre armëve më vonë ka përfunduar në zonat e luftës.
Vuçiq gjithashtu u përpoq ta bindte Putinin duke theksuar se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga Perëndimi.
“I thashë se nuk kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se Serbia ka vuajtur shumë për këtë. Më shumë sesa mund ta imagjinoni. Nuk kërkoj mirënjohje, por ishte vendimi ynë politik sepse besoj se sanksionet nuk janë të dobishme”, deklaroi ai.