string(46) "witkoff-dhe-putin-diskutojne-njohjen-e-krimese"

Witkoff dhe Putin diskutojnë njohjen e Krimesë

Lajme

Gazeta Express

25/04/2025 13:56

I dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Rusinë pritet të zhvillojë bisedime në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, me një propozim për paqe që do të përbënte një kthesë të madhe në politikën amerikane: njohjen e pretendimit të Moskës për Krimenë, territor i Ukrainës.

Propozimi, i cili fillimisht ka qarkulluar nga zyrtarë amerikanë pas bisedimeve në Paris javën e kaluar, është një nga disa temat që Steve Witkoff pritet të ngrejë në takimin me Putinin më 25 prill.

Lexo Edhe:

Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e katërt, ky plan përfaqëson një përpjekje të madhe të Uashingtonit për të zhbllokuar ngërçin diplomatik dhe për të ndalur luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ky është, gjithashtu, një ndryshim i thellë në politikën amerikane, sidomos sa i përket statusit të Krimesë, të cilën Moska e pushtoi dhe më pas e aneksoi në vitin 2014.

Përveç një numri shumë të vogël shtetesh, aneksimi nuk është njohur ndërkombëtarisht. Që nga ajo kohë — përfshirë edhe gjatë administratës së parë të Trump — politika amerikane ka refuzuar pretendimin rus.

Një diplomat evropian, me njohuri për detajet e planit, e përshkroi atë për Radion Evropa e Lirë. Një ish-diplomat amerikan, gjithashtu, konfirmoi përmbajtjen e propozimit.

Në lidhje me Krimenë, plani amerikan kërkon njohjen “de jure” — pra ligjore — të pretendimit rus mbi gadishullin.

Përveç se përbën një kthesë të madhe për Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme për Putinin, popullariteti i të cilit u rrit ndjeshëm brenda Rusisë pas urdhrit të tij për pushtimin e fshehtë të Krimesë në vitin 2014 dhe më pas aneksimin e saj.

Njohja nga SHBA-ja do të ishte një goditje e rëndë për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe për shumicën e ukrainasve, për të cilët pretendimi rus është pjesë e një fushate më të gjerë për të minuar sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Pasi propozimi amerikan filloi të qarkullojë në Paris javën e kaluar, Zelensky e bëri të qartë, si në deklarata publike, ashtu edhe në takime private, se do ta refuzonte kategorikisht njohjen e Krimesë si territor rus. Si pasojë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tërhoq papritur nga bisedimet pasuese që priteshin të mbaheshin në Londër më 23 prill.

“Nuk ka për çfarë të flasim. Është toka jonë, toka e popullit ukrainas”, deklaroi Zelensky më 23 prill.

Po atë ditë, në një postim në rrjetet sociale, presidenti Trump — i cili ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me Zelenskyn dhe shumë më të ngrohtë me Putinin — sugjeroi se kishte hapësirë për fleksibilitet nga ana e qeverisë ukrainase nëse propozimi amerikan ec përpara.

Ai tha, po ashtu, se ukrainasit duhej të kishin luftuar për Krimenë kur Rusia e pushtoi atë në vitin 2014.

“Askush nuk po i kërkon Zelenskyt të njohë Krimenë si territor rus, por nëse e do Krimenë, pse nuk luftuan për të njëmbëdhjetë vjet më parë, kur ajo iu dorëzua Rusisë pa u shkrepur asnjë plumb?”, shkroi Trump.

Elementë të tjerë të planit amerikan përfshijnë bllokimin e aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe një njohje “de facto” të territoreve ukrainase që janë aktualisht nën kontrollin e Rusisë, përfshirë pjesë të rajoneve Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja.

Plani, gjithashtu, parashikon kthimin e pjesëve të pushtuara të rajonit Harkiv nën kontrollin e Ukrainës; garantimin e qasjes së pakufizuar të Ukrainës në lumin Dniepër; dhe rikthimin e termocentralit bërthamor të Zaporizhjas nën administrim ukrainas, me kusht që më pas të operohet nga SHBA-ja, e cila do të siguronte energji si për Ukrainën, ashtu edhe për zonat e pushtuara nga Rusia.

Përjashtimi i anëtarësimit në NATO mbetet një pikë tjetër e ndjeshme për Ukrainën, ku ky objektiv është i sanksionuar në Kushtetutë.

Sipas diplomatit evropian, një element i planit amerikan që nuk është bërë publik gjerësisht është tërheqja e SHBA-së nga kërkesa që Zelensky të mbajë zgjedhje presidenciale të reja sa më shpejt të jetë e mundur.

Zelensky u zgjodh në vitin 2019 me një shumicë dërrmuese. Por, Kremlini ka deklaruar se mandati i tij është i paligjshëm, meqë gjendja e luftës, e shpallur pas pushtimit rus në shkurt 2022, ka penguar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në një përplasje publike më herët këtë vit, Trump dukej se i pranonte pretendimet ruse, duke e quajtur Zelenskyn “diktator” dhe duke kërkuar zgjedhje të reja.

Që atëherë, Trump e ka zbutur retorikën e tij në lidhje me zgjedhjet. Megjithatë, qeveria ukrainase ka nisur përgatitjet në heshtje për mundësinë e mbajtjes së votimeve më vonë gjatë këtij viti.

“Putinit po i ofrohet pothuajse gjithçka që donte të merrte, ndërsa Ukrainës nuk po i ofrohet pothuajse asgjë; nuk ka asnjë kompromis”, tha për Current Time analisti ushtarak ukrainas, Oleksandr Khara.

“Fakti që Rusia nuk është në gjendje të pushtojë të gjithë Ukrainën ose të ndryshojë qeverinë atje është krejtësisht i qartë, dhe kjo nuk do të ndryshojë së shpejti”, shtoi ai.

“Avancimi rus në lindje po ndodh me kosto të lartë, dhe kjo nuk nënkupton asnjë perspektivë reale për fitore ushtarake ndaj Ukrainës. Por, në mendjen e Trumpit ekziston një realitet krejt tjetër”./REL/