“Nuk ka fitues në një luftë tarifash”, tha presidenti i Kinës Xi Jinping pas një takimi me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez këtë mëngjes.
Ai i bën thirrje që Kina dhe BE së bashku të “kundërshtojnë praktikat e njëanshme të bullizmit”, duke iu referuar tarifave globale gjithëpërfshirëse të SHBA-së, ndërsa ai mbron që dy fuqitë ndërkombëtare të vazhdojnë globalizimin ekonomik.
“Të shkosh kundër botës do të çojë vetëm në izolim”, shton ai, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Xi dhe Sanchez po takohen sot për të biseduar për tregtinë dhe marrëdhëniet e përgjithshme midis BE-së dhe Kinës.
Në fillim të kësaj jave Kina njoftoi një tarifë prej 84% për mallrat e importuara nga SHBA. Kjo rritje, nga 34% erdhi pasi tarifa prej 104% e Presidentit Trump hyri në fuqi të mërkurën.
Tarifat u rritën më vonë në 125%, me Shtëpinë e Bardhë që tha të enjten se tarifat ndaj Pekinit mund të arrinin 145% për disa produkte për shkak të një takse ekzistuese prej 20% të vendosur mbi ata që prodhonin drogën fentanyl.