Në një super ndeshje të zhvilluar në Prizren dhe dramatike deri në fund, Golden Eagle Ylli ka fituar derbin ndaj Bashkimit me rezultat 78:84 (25:24, 23:25, 13:18, 17:17) në javën e 26-të të Superligës.
Për Yllin ishte fitorja e katërt radhazi, pasi shkëlqeu ndaj Trepçës, Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Ndeshja nisi e barabartë për të dy skuadrat, ku periudha e parë përfundoi 25:24. Edhe çereku i dytë u mbyll me shifra të përafërta, 23:25. Periudha e tretë nisi më mirë për “Therandasit”, të cilët e fituan 13:18, ndërsa dhjetëminutëshi i fundit ishte vendimtar, ku herë njëra, herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, dhe në fund, Ylli e fitoi ndeshjen me shifrat 78:84.
Te vendasit u dallua Erik Copes me 21 pikë dhe 12 kërcime. Te mysafirët, më të mirët ishin Lis Shoshi me 17 pikë, 11 kërcime dhe katër asistime, si dhe William Tavares me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim.
Bashkimi ka 18 fitore dhe tetë humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli ka 13 fitore dhe 13 humbje.