E ardhmja e Iñaki Peñas te FC Barcelona duket se është vulosur – dhe jo në një mënyrë që përfiton financiarisht klubi katalanas. Megjithëse portieri nga Alicante ka kontratë me Blaugranat deri më 30 qershor 2026, gjithçka tregon se ai do të largohet këtë verë pa sjellë asnjë euro në arkat e klubit.
Sipas gazetës “Sport”, qëllimi i klubit ishte të merrte kompensim financiar për largimin e tij, por realiteti është tjetër: Peña do të largohet si lojtar i lirë. Kjo përbën një goditje për planifikimin sportiv dhe ekonomik të Barcelonës, pasi klubi humbet mundësinë për të përfituar nga shitja e një lojtari ende nën kontratë.
Sipas vendimeve të stafit teknik të udhëhequr tashmë nga Hansi Flick, Marc-André ter Stegen do të vazhdojë si titullar i padiskutueshëm, ndërsa portieri rezervë do të jetë polaku me përvojë, Ëojciech Szczesny. Në këtë kontekst, Iñaki Peña nuk është më pjesë e planeve sportive të klubit.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Barcelonës kanë filluar të kërkojnë pasuesin e ardhshëm të portës, qoftë nga akademia La Masía, qoftë nga tregu. Kështu, me derën e daljes plotësisht të hapur dhe pa asnjë shenjë rinovimi apo shitjeje, Peña i thotë lamtumirë “Camp Nou”-t pa i sjellë përfitime institucionit që e formoi./GazetaExpress/