Mbrojtësi i klubit italian SPAL, Thiago Cionek, është lartësuar nga kryetari i komunës Ferrara, Alan Fabbri, pasi e kishte ndjekur dhe kapur një hajn që po përpiqej të vidhte nga një dyqan.
Dyqani i duhanit, ndër dyqanet e pakta që gëzojnë të drejtën për të qenë të hapura gjatë zonës së kuqe në Itali shkaku i koronavirusit, ishte konsideruar si gjah i lehtë për këtë kriminel, transmeton Gazeta Express.
Por, teksa u përpoq të arratisej, hajni u ndoq dhe u kap nga mbrojtësi i Spalit Cionek.

Mbrojtësi 33-vjeçar i Polonisë e mbajti hajnin deri sa mbërriti policia.
“Pasi e dëgjova lajmin, i telefonova Thiago Cionekut për ta falënderuar personalisht”, tha kryetari i Ferrara, Alan Fabbri.
“Gjesti i tij ishte shumë zemërgjerë dhe shumë i veçantë në këtë kohë të vështirë. Ta shohësh një plaçkitje duke ndodhur dhe të ndërhysh pa pasur frikë, duke e ndjekur hajnin në rrugë, nënkupton se kujdesesh për atë që ndodh në këtë qytet”, shtoi ai.
Meqë Serie A është pezulluar të paktën deri më 4 prill, skuadra e SPAL-it nuk është duke u stërvitur, por Cionek po e mban veten në formë, të paktën kur bëhet fjalë për të bërë vrap të shpejtë. /Gazeta Express/