Hetimi për vrasjen e Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që studionte në Romë, ka hyrë në një fazë të re. Pas rrëfimit të ish të dashurit të saj, Antony Mark Samson, 23 vjeç, i cili ka pranuar se e ka vrarë me thikë gjatë një debati në banesë, autoritetet italiane kanë vendosur të hetojnë edhe nënën e tij.
Sipas burimeve të “LaPresse”, nëna e Samsonit është përfshirë në listën e të dyshuarve për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Ajo ka ndërhyrë menjëherë pas krimit, pasi ka dëgjuar britmat e vajzës dhe e ka parë trupin e pajetë në dhomën e gjumit.
Në vend që të lajmëronte autoritetet, dyshohet se ajo ka ndihmuar të birin në pastrimin e skenës së krimit në apartamentin në via Homs, në lagjen afrikane të Romës.
Ndërkohë që Samson pretendon se ka vepruar i vetëm, hetuesit nuk janë të bindur nga versioni i tij dhe po hetojnë më shumë rreth rolit të mundshëm të familjarëve. Të dhënat telefonike të nënës dhe babait do të analizohen me kujdes për të zbuluar lëvizjet e tyre në orët pas krimit.
Nëna e Samsonit do të merret në pyetje ditën e sotme. Qëllimi i hetimit është të sqarojë saktësisht çfarë ndodhi në orët e pas krimit dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në fshehjen e provave.
Trupi i Ilaria Sulës, e zhdukur më 25 mars, u gjet natën mes 1 dhe 2 prillit brenda nje valixheje e hedhur në një shkëmb në një zonë pyjore në Poli. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ndërkohë, Gjykata e Romës konfirmoi lënien në qeli të 23-vjeçarit me origjinë filipinase Mark Samson të akuzuar për vrasjen e shqiptares Ilaria Sula. Sipas mediave italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar automjetin në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës. Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë./A2