Një situatë e pazakontë dhe e papranueshme ka ndodhur mbrëmjen e kaluar gjatë spektaklit “Big Brother VIP”, duke lënë publikun të habitur dhe të shqetësuar.
Menjëherë pas eliminimit të tij nga gara, Jozefin Marku – i njohur për temperamentin e tij shpërthyes – ka sulmuar fizikisht një tjetër banor, reperin Besart Klemendi, i njohur ndryshe me emrin e artit Gjesti.
Incidenti ndodhi brenda ambienteve të spektaklit, pikërisht në momentin kur Jozi po largohej nga shtëpia. Siç shihet edhe në pamjet filmike, ai i afrohet Gjestit dhe e godet me shuplakë në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë, përpara syve të kamerave dhe publikut.
Fatmirësisht, më vonë u konfirmua se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.
Pas aktit të dhunës, forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në ambientet e spektaklit, ku kanë ndaluar Jozefin Markun dhe e kanë shoqëruar me pranga në Komisariatin nr. 6 të Tiranës. Sipas burimeve për Report TV, gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Jozi ka deklaruar: “Më ka provokuar gjatë gjithë lojës, nga gjaknxehtësia e qëllova. Nuk e durova më!”
Ai ka qëndruar në komisariat për rreth pesë orë, deri në përfundim të procedurave, dhe është liruar rreth orës 05:00 të mëngjesit. Megjithatë, hetimet ndaj tij do të vazhdojnë në gjendje të lirë.
Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit bëri të ditur: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. M., 29 vjeç, pasi gjatë transmetimit të një reality show, ka qëlluar me pëllëmbë shtetasin B. K.”.
Ky veprim ka ngjallur reagime të forta nga publiku dhe ndjekësit e programit në rrjetet sociale, me shumëkënd që kërkon masa të rrepta ndaj dhunës në ekran dhe përgjegjësi nga organizatorët e spektaklit. /Telegrafi/