Zbulohen favoritët për të kaluar në çerekfinale të “EURO 2024” - Gazeta Express
string(60) "zbulohen-favoritet-per-te-kaluar-ne-cerekfinale-te-euro-2024"

Zbulohen favoritët për të kaluar në çerekfinale të “EURO 2024”

Sport

Gazeta Express

27/06/2024 11:30

Natën e mbrëmshme ka përfunduar edhe faza e grupeve të “EURO 2024”, duke u mbyllur me goxha dramë e emocione.

Gjeorgjia e mposhti Portugalinë, derisa Çekia e Turqia na dhuruan një ndeshje për t’u mbajtur mend gjatë.

Lexo Edhe:

Befasi të tjera kishte edhe ditë më herët, me Sllovakinë, Slloveninë e Austrinë që po ashtu siguruan një vend në 16 kombëtaret më të mira.

Me përfundimin e fazës së grupeve tashmë janë mësuar edhe çiftet e 1/8 së finales.

“Gazeta Express” ju sjellë të gjitha dhe përcjellë përqindjen e favoritëve për të kaluar tutje, sipas “Opta Analyst”.

Në duelin Francë – Belgjikë, francezët janë favorit me 68.27% kundrejt 31.73% të belgëve.

Franca doli nga grupi si e dyta, gjersa po ashtu edhe Belgjika, e cila përfundoi pas Rumanisë.

Gjermania – Danimarka është një tjetër ndeshje interesante që do të luhet në 1/8 e finales.

Por, nikoqirët e kampionatit janë favorit me 69.58% ndaj Danimarkës, që ka 30.42% mundësi kalimi tutje.

Përqindje më e lartë e fitores së mundshme i shkon Anglisë, e cila ka 81.80% në krahasim me Sllovakinë që ka vetëm 18.20%.

Edhe Portugalia po llogaritet favorite absolute para Sllovenisë.

Kombëtarja iberike favorizohet me 75.72% kundrejt 24.28% të Sllovenisë, e cila kaloi grupin si e treta.

Spanja me 9 pikë në grupe, 5 gola të shënuar e asnjë të pësuar përballet me Gjeorgjinë në fazën e parë të eliminimit direkt.

“Opta” i ka dhënë mundësi të madhe Spanjës që të kalojë tutje me 82.44%, derisa Gjeorgjia ka vetëm 17.56% mundësi kalimi.

Pak më e barabartë do të jetë sfida mes Zvicrës e Italisë.

Në këtë ballafaqim, “Opta” e favorizon pak më shumë Italinë, e cila ka një mundësi kalimi prej 53.08%. Ndërsa, Zvicra ka 46.92%.

Në duelin Austri – Turqi, po favorizohet Austria.

Me të drejtë, pasi djelmoshat e Ralf Rangnick dolën të parët në një grup me Francën e Holandën.

Austria ka 59.93% mundësi për fitore, kundrejt 40.07% të Turqisë.  

Rumania në anën tjetër, edhe pse kaloi grupin si e para, nuk po del të jetë favorit ndaj Holandës.

Skuadra ballkanike ka 32.46% mundësi kalimi tutje, ndërsa Holanda favorizohet me 67.54%./GazetaExpress/