string(94) "zbulohet-permbajtja-e-propozimeve-ne-bisedimet-shba-evrope-per-ti-dhene-fund-luftes-ne-ukraine"

Zbulohet përmbajtja e propozimeve në bisedimet SHBA-Evropë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Lajme

Gazeta Express

25/04/2025 14:04

Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kundërshtuan këtë javë disa propozime të SHBA-së se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë, duke bërë kundërpropozime për disa çështje  duke filluar nga territori, kompensimin e dëmeve të luftës, e deri te sanksionet.

Krejt kjo sipas teksteve të plota të propozimeve që agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, thotë se i ka parë.

Lexo Edhe:

Seti i propozimeve nga bisedimet midis zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe ukrainas në Paris më 17 prill dhe në Londër më 23 prill nxorën në pah funksionimin e brendshëm të diplomacisë së ndërmjetme që po zhvillohet, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërkon një përfundim të shpejtë të luftës, raporton Reuters.

Fushat kryesore të dallimeve në të dy tekstet janë mbi renditjen e zgjidhjes së çështjeve mbi territorin, heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, garancitë e sigurisë dhe madhësinë e ushtrisë së Ukrainës.

Dokumentet e para nga Reuters tregojnë për herë të parë dallimet në detaje, të plota dhe të qarta

Teksti i parë pasqyron propozimet e komunikuara nga i dërguari i Trump, Steve Witkoff, zyrtarëve evropianë në Paris, të cilat më pas iu kaluan ukrainasve. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i përshkroi propozimet si një “kornizë e gjerë, që hapë një dritare të re” për të identifikuar dallimet midis palëve.

Teksti i dytë doli një javë më vonë nga bisedimet midis zyrtarëve ukrainas dhe evropianë në Londër dhe i është dhënë palës amerikane.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy deklaroi të enjten se një  dokument me propozime që dolën nga bisedimet e së mërkurës në Londër ndodhej në tavolinën e Trump.

Lidhur me territorin, propozimet e Witkoff kërkonin njohjen de jure nga SHBA-ja të kontrollit të Rusisë mbi Krimenë, gadishullin ukrainas që Moska e pushtoi dhe e aneksoi në vitin 2014, plus njohjen de facto të kontrollit të Rusisë mbi zonat e Ukrainës jugore dhe lindore që kontrollohen nga forcat e Moskës.

Në të kundërt, dokumenti evropian dhe ukrainas shtyn diskutimin e detajuar rreth territorit deri pas përfundimit të një armëpushimi, pa përmendur në dokument njohjen e kontrollit rus mbi ndonjë territor ukrainas.

Lidhur me sigurinë afatgjatë të Ukrainës, dokumenti i Witkoff thotë se Ukraina do të ketë një “garanci të fortë sigurie” me shtetet evropiane dhe shtete të tjera mike që veprojnë si garantues. Ai nuk jep detaje të mëtejshme për këtë, por thotë se Kievi nuk do të kërkojë të bashkohet me NATO-n.

Dokumenti rival është më specifik, duke deklaruar se nuk do të ketë kufizime për forcat ukrainase dhe asnjë kufizim për aleatët e Ukrainës që stacionojnë forcat e tyre ushtarake në tokën ukrainase – një dispozitë që ka të ngjarë të irritojë Moskën, raporton tutje Reuters.

Ai propozon garanci të forta sigurie për Kievin, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara me një “marrëveshje të ngjashme me Nenin 5”, një referencë për klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s.

Lidhur me masat ekonomike, propozimet e Witkoff-it thonë se sanksionet në fuqi ndaj Rusisë që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 do të hiqen si pjesë e marrëveshjes në diskutim.

Kundërpropozimet thonë se do të ketë “një lehtësim gradual të sanksioneve pasi të arrihet një paqe e qëndrueshme” dhe se sanksionet mund të rivendosen nëse Rusia shkel kushtet e marrëveshjes së paqes.

Dokumenti evropian dhe ukrainas propozon gjithashtu që Ukraina të marrë kompensim financiar për dëmet e shkaktuara në luftë nga asetet ruse jashtë vendit që janë ngrirë. Teksti i Witkoff thotë vetëm se Ukraina do të kompensohet financiarisht, pa dhënë detaje për burimin e parave.