Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, është përfshirë drejtpërdrejt në fushatën për zgjedhjet lokale të 29 marsit, duke ngritur shqetësime serioze për keqpërdorim të funksionit shtetëror dhe për manipulim të procesit zgjedhor.
Gjatë muajit të fundit, Vuçiq ka vizituar të gjitha dhjetë komunat ku do të mbahen zgjedhjet, duke premtuar investime, rrugë, vende pune dhe rritje pagash e pensionesh. Ai ka marrë pjesë në tubime të partisë së tij, duke u paraqitur kryesisht si president, edhe pse ligji kërkon ndarje të qartë mes rolit shtetëror dhe atij partiak.
Sipas drejtorit të BIRODI-t, Zoran Gavriloviq, kjo përbën shkelje të ligjit. “Ajo që paraqitet si vizitë zyrtare, në fakt është aktivitet i fushatës zgjedhore,” thekson ai, duke e cilësuar rolin e Vuçiqit si një “Babagjysh elektoral” që përdor pozitën për të siguruar avantazh për partinë e tij.
Këto shqetësime përforcohen edhe nga rekomandimet e ODIHR, të cilat kërkojnë ndarje të qartë mes shtetit dhe partisë për të garantuar kushte të barabarta në zgjedhje. Megjithatë, autoritetet serbe nuk kanë dhënë përgjigje për akuzat dhe as për mënyrën se si po respektohen këto standarde.
Përveç përfshirjes së funksionarëve shtetërorë në fushatë, një tjetër element që hedh hije mbi zgjedhjet janë edhe “lista fantome” ruse. Këto lista, dyshohet se nuk përfaqësojnë realisht qytetarët, por përdoren për të shpërndarë votat dhe për të krijuar avantazh për pushtetin, janë përmendur nga vëzhgues dhe kritikë të procesit zgjedhor si pjesë e një modeli më të gjerë manipulimi.
Analistët vlerësojnë se përdorimi i emrit të Vuçiçit në listat zgjedhore lokale është gjithashtu formë mashtrimi ndaj votuesve, pasi ai nuk do të mbajë asnjë funksion në nivel lokal, pavarësisht se lista mban emrin e tij.
Ndërkohë, mungesa e një misioni vëzhgues nga OSCE për këto zgjedhje ka shtuar dyshimet. Sipas Gavriloviçit, kjo mund të lidhet me faktin se rekomandimet e mëparshme për reformën zgjedhore nuk janë zbatuar.
Zgjedhjet lokale në Serbi zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të gjera kundër qeverisë dhe akuzave të vazhdueshme për parregullsi zgjedhore, përfshirë presion mbi votuesit, abuzim me resurset shtetërore dhe mungesë të kushteve të barabarta për garë.
Kritikët paralajmërojnë se kombinimi i “listave fantome” dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të presidentit në fushatë rrezikon të minojë më tej besimin në procesin demokratik në Serbi. /REL
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...