string(63) "zgjedhjet-e-11-majit-meta-te-largojme-ramen-dhe-te-heqim-taksat"

Zgjedhjet e 11 majit, Meta: Të largojmë Ramën dhe të heqim taksat

Shqiperi

Gazeta Express

01/04/2025 18:08

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vazhduar fushatën e tij për zgjedhjet e 11 majit, edhe pse ndodhet në qeli që nga tetori i vitit të kaluar. Meta ka shprehur se kjo është një mundësi për shqiptarët që të largojnë Edi Ramën, të cilin e quajti “kryetaksa” e shqiptarëve. Sipas tij, qeverisja e Ramës ka pasur vetëm qëllimin për të shfrytëzuar qytetarët me taksa dhe tarifa të larta, ndërsa ka dobësuar shërbimet publike.

Në një deklaratë, Meta tha: “Në 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, qytetarët kanë vuajtur nga taksat e larta dhe një sistem ekonomik që ka pasur vetëm një objektiv: grabitjen dhe korrupsionin.” Ai shtoi se, duke votuar më 11 maj, “shqiptarët do të votojnë për një program ekonomik që synon uljen e taksave dhe krijimin e një Shqipërie më të fortë, prodhuese dhe eksportuese”.

Lexo Edhe:

Nëse ai dhe koalicioni i tij fitojnë zgjedhjet, Meta ka premtuar një seri masash për uljen e taksave dhe rritjen e mundësive ekonomike për shqiptarët:

  • Ulje e taksave dhe tarifave: Taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat dhe kapitalin. Paga deri në 50 mijë lekë do të jetë pa tatim.
  • Përjashtim taksash për profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
  • Ulje e TVSH-së në 15% dhe heqje e disa tarifave që ndikojnë negativisht në biznes.
  • Mbështetje për të rinjtë dhe gratë: Për rinjtë nën 30 vjeç, do të ofrohen stimuj financiarë dhe përjashtim nga sigurimet shoqërore për 12 muajt e parë të punësimit.

Meta gjithashtu ka propozuar masa të tjera për mbështetje të investimeve dhe zhvillimin e zonave malore, duke ofruar përjashtime nga taksat deri në 8 vjet për investitorët në këto zona. “Me votën tuaj, do të çlirohet ekonomia shqiptare dhe familjet do të përfitojnë nga rritja e të ardhurave dhe krijimi i mundësive për punësim më të mirëpaguar“, ka thënë Meta.