Misioni i ODIHR, i pranishëm në Tiranë prej 1 prillit, në raportin e tij të parë për fushatën zgjedhore të 11 majit e cilëson procesin ELEKTORAL si të qetë. Sipas vëzhguesve, debatet më të ashpra zhvillohen kryesisht në rrjetet sociale, ku udhëheqësit politikë shkëmbejnë akuza personale dhe për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar.
Raporti thekson se partitë më të vogla janë më pak aktive në këto platforma, ndërsa vazhdojnë fushatat e tyre përmes takimeve derë më derë. Temat kryesore të fushatës variojnë nga anëtarësimi në BE, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit nga mazhoranca, deri te akuzat e PD-së për përdorim të burimeve shtetërore dhe krime zgjedhore.