Punimet për rehabilitimin e 5 kilometrave të parë të rrugës së Ndroqit janë drejt përfundimit dhe mund të mbyllen para afatit të parashikuar.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se afati zyrtar për dorëzimin e projektit është 16 maj 2026, por synimi është që faza e parë të përfundojë brenda këtij viti.
“Afati i dorëzimit është 16 maj 2026, synimi jonë është që të mbarojmë para natës së vitit të ri këtë fazë të parë. Më pas hapen fazat e tjera”, tha Balluku.
Ajo bëri me dije se punimet në këtë segment kanë qenë sfiduese, veçanërisht për shkak të infrastrukturës nëntokësore. “Ndodhemi në pjesën e fundit të fazës së parë, ku 1.6 kilometra janë tashmë të përfunduara. Sfida kryesore ka qenë pjesa e infrastrukturës nëntokësore”, shtoi ajo.
Rruga e Ndroqit, e cila do të shtrihet në një gjatësi prej 28 km, po transformohet nga një rrugë rurale në një aks të kategorisë C, duke mundësuar lëvizjen me shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. “Nga një rrugë rurale shkon në një rrugë të kategorisë C, do të lëvizet me shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. Ura e Beshirit do të ndërtohet totalisht e re”, tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e zonës, duke përmendur ndikimin pozitiv që infrastruktura e re do të ketë në zhvillimin e agroturizmit dhe ekonominë lokale. “Është një aks shumë i rëndësishëm, kanë lindur shumë agroturizme. Është një zonë që do të zhvillohet”, u shpreh ai.